Regjistrim biznesi në Google
Dil në Google Maps si biznes
Dikush në lagjen tënde shkruan në telefon "kafene afër meje" ose "elektricist në Tiranë". Google i kthen tri biznese me hartë, orar dhe recensione. Nëse ti nuk je aty, për atë klient thjesht nuk ekziston.
Pse ka rëndësi më shumë se një faqe
Për një biznes lokal, ai bllok me hartë në krye të rezultateve peshon më shumë se çdo faqe interneti. Vjen para rezultateve normale, tregon orarin, distancën, recensionet dhe një buton për të telefonuar — dhe shumica e njerëzve zgjedhin prej andej pa zbritur më poshtë.
Kjo është edhe arsyeja pse një faqe e bukur pa profil në Google të lë përgjysmë. Faqja të shpjegon kur dikush të kërkon me emër. Profili të gjen kur dikush kërkon shërbimin, jo emrin tënd.
Çfarë bëj
- Krijimin dhe konfigurimin e profilit. Emri, kategoria kryesore dhe ato dytësore, orari, zona ku shërben, telefoni dhe lidhja me faqen — të plotësuara si duhet që në fillim.
- Të të kaloj procesin e verifikimit. Google kërkon të provosh se biznesi është i vërtetë, shpesh me video ose me dokumente. Të përgatis për atë që kërkohet dhe të qëndroj përkrah gjatë procesit.
- Përshkrimin dhe fotot. Një përshkrim i shkruar për njeriun që lexon dhe jo i mbushur me fjalë kyçe, plus fotot e duhura — sepse profilet pa foto shpërfillen.
- Të dhëna që përputhen kudo. Emri, adresa dhe telefoni duhet të jenë të njëjtë në profil, në faqe dhe kudo tjetër. Mospërputhjet i ngatërrojnë edhe Google-in edhe klientin.
- Recensionet, si t'i kërkosh. Si t'u kërkosh klientëve një recension pa qenë i bezdisshëm, dhe si t'u përgjigjesh — përfshirë atyre negative, që bëjnë më shumë dëm kur i lë pa përgjigje.
- Lidhjen me faqen tënde. Profili dhe faqja duhet të çojnë te njëri-tjetri dhe të tregojnë të njëjtën histori, që Google t'i lidhë si një biznes të vetëm.
Çfarë nuk të premtoj
Verifikimin e vendos Google, jo unë. Unë e përgatis dosjen dhe të kaloj procesin si duhet, por vendimi përfundimtar është i tyre dhe ndonjëherë duhet një provë e dytë.
Nuk të premtoj as vendin e parë në hartë. Renditja lokale varet nga distanca e kërkuesit, recensionet dhe sa i plotë është profili — një profil i konfiguruar mirë të fut në garë, nuk e blen rezultatin.
Dhe nuk punoj me adresa të rreme, zyra virtuale apo kuti postare. Google e kap këtë rregullisht, dhe një profil i pezulluar është shumë më keq se një profil që nuk e ke hapur ende.
Pyetje të shpeshta
Pyetje për profilin në Google
Ato që bëhen më shpesh para se të nisim.
A më duhet biznes i regjistruar?
Ndihmon shumë. Google shpesh kërkon prova që biznesi është i vërtetë gjatë verifikimit, dhe dokumentet e biznesit janë prova më e fortë. Pa to kalimi është i mundur por më i brishtë, dhe refuzimi më i zakonshëm.
Po nëse nuk kam një dyqan ku vijnë klientët?
Nuk është problem. Nëse shkon ti te klienti, profili konfigurohet si biznes me zonë shërbimi: regjistrohesh me një adresë por e fsheh publikisht, dhe shfaqet vetëm zona ku punon.
Sa kohë merr?
Konfigurimi është punë e shpejtë. Verifikimi është pjesa që nuk e kontrollon askush — ndonjëherë brenda ditësh, ndonjëherë më gjatë nëse duhet një provë e dytë.
Sa kushton?
Vetë profili te Google është falas; ajo që paguan është puna e konfigurimit dhe e verifikimit. Çmimin e caktojmë pas një bisede, sepse ndryshon nëse ke një pikë apo disa, dhe nëse duhen edhe fotot.
Po nëse më refuzojnë?
Ndodh, dhe zakonisht për një detaj të dokumentacionit e jo sepse biznesi është i gabuar. Shohim çfarë kërkuan, e rregullojmë dhe e ridorëzojmë.
A mund ta menaxhoj vetë pas kësaj?
Po. Profili mbetet i yti dhe në llogarinë tënde. Të tregoj si të përditësosh orarin, të shtosh foto dhe t'u përgjigjesh recensioneve, që të mos varesh nga unë për gjërat e përditshme.